Doktor Dermani

Share on facebook
Share on google
Share on twitter
Share on linkedin

 

Po laj enët kur, befas, kuptoj se dora e djathtë s’më dhemb më. E rrotulloj kyçin si të ma dojë puna, por, për çudi, dhimbja më ka lënë shëndenë. Uaaaaaa? 

U bënë 3 muaj që kur shkova për herë të parë tek ortopedi. Ai mendoi se kisha artrit. Fillova qetësues, por më filloi stomaku. U konsultova me një ortoped tjetër që ra në një mendje me kolegun e vet, por më dërgoi të bëja analizat përpara se të vendoste për trajtimin. Në pritje të rezultateve, më shkoi mendja tek doktor Apostoli, apo Toli, siç e njohim ne, sarandjotët e vjetër. E mbaja mend qysh nga fëmijëria, por nuk e kishte sjellë rasti ta njihja nga afër. Pata dëgjuar se u qe gjendur shumë hallexhinjve, kisha lexuar mbi punën e tij si mjek i dhimbjes, e kisha ndjekur në përpjekjet për të zgjidhur kuadratizimin e rrethit, dhe ja, dhimbja që më zgjonte natën, u bë sebep që të takohemi sërish. Shtrirë në krevatin e pacientit, në vend që të përqëndrohesha në ndijimin fizik, truri im gërricej se si vallë do ma shëronte dorën me gishta, symbyllazi, shtyp këtu e shtyp atje, trokit në qafë e trokit në krah, “merr frymë thellë, mbaje një grimë, lëshoje lehtë”… Dukej sikur doktori luante me një instrument të padukshëm muzikor. Kur mbaruam, më tha se kockat ishin për bukuri, fajin nuk e kishte artriti, por stresi, ky mysafir i paftuar që është ulur këmbëkryq në jetët tona moderne. 

Pas dy dekadash emigrimi në Amerikë, stresi m’i kishte kthyer muskujt në inde inertë që nuk funksionin mirë. Kisha vite që nuk e ndjeja kënaqesinë e frymëmarrjes së thellë – muskujt e sternumit s’arrinin ta hapnin plotësisht kafazin e kraharorit dhe mushkëritë s’i jepnin gjakut oksigjen të mjaftueshëm. Për pasojë, problemet më të zakonshme të ditës shndërroheshin në ankth. “Të është bërë trupi me xhumba, por pas 20 seancash do bëhesh qiqër fare, bile do dobësohesh! I shikon këto palat këtu? S’janë as dhjamë e as muskuj, por edema, lëng ndërqelizor që nuk qarkullon. Do ta detyroj të lëvizë e të dalë, ti do vish në formë, indet e stresuara do shkokolepsen e organet do nisin të punojnë rehat.” Këto m’u dukën gjepura, por, nga halli, rashë dakort për seancën e dytë. Kështu, si pacientja e orës 8 të mëngjesit, fillova ta njoh Tolin. Ndërsa punonte me xhumbat e mia, binte telefoni – pacientë të vjetër e të rinj kërkonin orare dhe doktori nuk kthente njeri. Zura të qëndroja më gjatë, shikoja se ç’bënte me të tjerët, dhe, kur dilte për pushim, gërmoja pacientët. Sa më shumë pyesja, aq më shumë kuptoja – çelësi qe besimi për ta lënë veten tërësisht në duart e tij, pa arrogancën e të diturit. Besimi m’u rrit kur pashë që kolegët, mjekë në Spitalin e Traumës, sillnin pacientët e pashpresë tek doktor Dermani (siç e pagëzuam me Edlirën, pacienten e orës 9.) Ai e thotë troç kur nuk je për të – një ditë kolegu i solli një pacient me shtyllën kurrizore aq të shprishur, saqë nuk kish perëndi t’i bënte derman. 

Po bëhesha gati të dilja, kur trokiti dera dhe hyri një e moshuar. Sa hapi gojën, ia plasi të qarit me dënesë. E tronditur, renda t’i heq shallin e pallton, e ndihmova të shtrihej, e qetësova duke i ledhatuar flokët e supet. “Shita televizor e bizhuteri, s’lashë doktor pa parë, e ja ku jam, më dhëmb gjithë trupi. Dita e dytë sot, nuk e njoh doktorin, por ma kapi syri në fejsbuk dhe m’u duk se e bën punën me shpirt.” E quajta “zonja trandafili” – bluza rozë përbënte një dekor të zbehtë në krahasim me fytyrën që i qe ndezur shafran. Doktori e përfshiu si foshnjë në gji, dënesat rreshtën, gishtat nisën lundrimin, ai ktheu kokën e më tha: “Frika nga vetmia i është kthyer në stres, e ky i mallkuar ia ka rrënuar trupin.” 

Dhjetëra pacientë më treguan se si jeta u qe bërë ferr, përpara se t’i merrte përsipër doktori. Isha aty kur Vilma, ekonomistja e re, erdhi për herë të parë, nxitur nga Elda, pacientja e orës 10. Dëshpërimi në fytyrën e zbehtë ia kish mpakur tiparet e bukura. Dikur sportiste ambicioze, dhimbjet e forta e shtrënguan të braktiste punën. Ditë pas dite, pashë se si buzëqeshja ia çeli sytë dhe shpresa ia gjallëroi hapin. 

Ndërkaq, mua më dolën fjalët e doktorit: të gjitha analizat në normë – kusuri i 350 eurove që shkuan kot! Tani më ka rrëmbyer entusiazmi e s’pushoj së foluri për të, projektet e mia i mori lumi, mendja më punon si e si ta ndihmoj që të ndihmojë të sëmurët – sidomos gratë. I shoh tek hyjnë e dalin në klinikën e tij: nëna e bashkëshorte të stërmunduara, që jeta i mësoi vetëm të shërbejnë e të harrojnë veten e tyre. 

Shpesh në klinikë vijnë studentët e tij, Zamiri dhe Enea, që mësojnë zanatin nga mjeshtri. Dritat fiken vonë, pak para orës 11. Çdo ditë e re është një mundësi për të zhdukur dhimbjen, rikthyer jetën. Misionar i vërtetë, sa të ketë frymë, ai do të japë atë që ka në shpirt: profesionin fisnik të mjekut. Bashkëautor i shumë artikujve shkencorë në botime prestigjioze në botë mbi dhimbjen, ai ftohet vazhdimisht të ndajë eksperiencën e tij në konferenca dhe kongrese anembanë globit. Doktor Apostol Vaso është pasuri kombëtare – i jam mirënjohëse dhe ndjehem me fat që dhimbja më bëri të rrugëtoj me të. 

Aneta Mihali Xhiku

Mars 2018