Përbindëshi

Share on facebook
Share on google
Share on twitter
Share on linkedin

Nuk e kam kollaj të shkruaj sepse kam frikë që përbindëshi mund të më lexojë. Dhe pastaj do ta vrasë. Si ai i para dy ditëve, që ia nguli 31 herë thikën gruas shtatzanë, në sy të fëmijëve. Lemeria bëri në media xhiron e radhës, por sot u harrua.

Kisha kohë që e shihja tek kthehej muzgut në shtëpi, e rraskapitur dhe e mbytur në pluhur. Isha ende fëmijë kur filloi punë në një zyrë shërbimi. Tani, pas 40 vjetësh, vrisja mendjen se ç’hall i madh e kish detyruar të bënte punë krahu në moshën e saj. Një ditë u këmbyem në shkallë dhe u ndala për ta përshëndetur. Mjaftuan pak fjalë për t’ia kuptuar hallin. M’i njihte prindërit, ndaj nuk nguroi kur e ftova në shtëpi. Më tregoi për shortin e saj, përbindëshin që shkallmonte derën dhe i sulej me çfarë i zinte dora. DYZET vjet rresht.

E pyeta përse nuk e denoncon, përse nuk e ndan. “Më vjen keq për fëmijët, nuk dua t’u vijë turp nga bota.” Turp nga bota e mbrapshtë shqiptare, nga familja e tij që e quan dhunën normale, nga njerëzit e saj që s’trazohen (ky qe fati i saj, thonë), nga fqinjët që hiqen sikur s’shohin e s’degjojnë. Përpiqem ta bëj të kuptojë se nuk i ka mbetur shumë për të rrojtur, se nuk ia vlen të ikë nga kjo botë me dajak. Të kuptojë që, si mëmë, e ka për detyrë t’u mësojë fëmijëve të luftojnë përbindëshat e kësaj bote. Tashmë të traumatizuar, fëmijët e mëshirojnë, por atëhere do ta duan dhe do ta respektojnë. Më shikon në sy dhe vetëm tund kokën. E di që s’ka për të bërë gjë.

Ditën tjetër i telefonoj dhe e pyes nëse do që ta çoj në një organizatë për gratë e abuzuara. Takohemi diku pranë zyrës dhe bëjmë sikur s’njihemi – e piu e zeza po ta marrë vesh përbindëshi! Është veshur bukur e flokët i ka krehur me kujdes, si dikur, kur u shërbente bashkëqytetarëve. Vajzat e zyrës e dëgjojnë me vëmendje e keqardhje. I ofrojnë keshillë, por është vendimi i saj. Gjithsesi, tani e ka një vend ku mund të zbrazë shpirtin, pa i dalë llafi.

Për ca muaj s’e pashë më. U bëra merak se përbindëshi mund ta kishte vrarë, e sot, në mëmëdheun tonë të dashur, mund të shkosh në dynjanë tjetër pa e marrë vesh njeri. I vajta pranë shtëpisë tek porti, dhe pyeta fqinjët me marifet. Kish ikur në Rhodos, tek fëmijët. Por vetëm për pak. “Më duan, por kanë hallet e tyre, ndaj kthehem në konakun tim.” Aty ku e pret përbindëshi, ai që ecën si hije rrugëve të qytetit tim. Mbase do t’i lexojë këto radhë dhe do ta marrë vesh që njerëzit e dinë. E nëse i ngjet gjë asaj, mund ta pësojë dhe ai si shoku i vet, ai i 31 thikave, që sot e gjetën hedhur në fushë, me turirin ngjeshur në baltë…