Foto Çasti

Share on facebook
Share on google
Share on twitter
Share on linkedin

Për një grimë m’u duk si reklamë e viteve ‘30, afishuar tek kioska – me borsalinë, veshur me sqimë, me një aparat të madh me llambë, si në filmat e Çaplinit. U kapa gafil kur ndesha sytë e qeshur, që më ftuan për një foto. Ngrita celularin, si për t’i thënë se mund të bëja sa të më tekej, por u bëra kurioze – kush ka lajthitur të paguajë për foto në rrugë sot?

“Kam 60 vjet në këtë profesion, 18 vjet në këtë qoshe. Në qershor mbush 81.” Uaaaa! 

Sa hymë në muhabet, kur, si shtjellë lumi, iu avit një flokëkuqe simpatike.

“Sa mirë që të gjeta! Të mbahet mend? Më ke fotografuar me tim shoq këtu, para shumë vitesh.”

“Të kujtoj, posi!”

“Sa është çmimi?”

“60$ me ngjyra, 100$ bardhë e zi.”

Shqeva syte kur kuqsja i zgjati tre njëzetëshe, dhe fap! celularin, që të fiksoja çudinë. Sa hap e mbyll sytë, me një shkrepje, mjeshtri i la foton në dorë. Pak e zbehtë, por shtjellës i pëlqeu. M’u lut t’i nisja edhe ato të miat. U hodhi një sy, më falenderoi, dhe na la shëndenë me një “dasudanja!” 

Kingu tashmë kish gjithë vëmendjen time. Më tregoi se, ndonjëherë, rri tek parku i biblotekës kombëtare, tamam aty ku Nikolla Tesla ushqente zogjtë. Pastaj më zgjati kartëvizitën: Louis Mendes. “Më gjen në internet, jam i njohur në New York.” 

Babai i tij ishte emigrant portugez kur u njoh me mëmën amerikane. Louis vetë kish hyrë në zanat pa mbushur të njëzetat “për të fituar para dhe zemrat e vajzave.” Atëhere bleu aparatin që iu bë bashkëudhëtari i jetës: kamera 1940 Graflex Speed Graphic 4×5. “Të njëjtin model që përdorte Jacky Bouvier kur u njoh me John Kennedy-n,” tha, dhe më tregoi një foto të Jacky-t si fotoreportere, kur ende s’qe bërë zonja e parë e Amerikës. Tre herë baba, me tre gra të ndryshme, Louis nuk u martua kurrë. “I dua që të treja, por gruaja ime është kjo,” dhe përkëdheli aparatin.

Lëvizja për të drejtat civile në vitet ‘60, e gjeti shërbëtor në Port Authority. Bosi i bardhë plasi nga marazi një ditë, kur Louis mbërriti në punë me makinën fringo, blerë me kursime. Në prill të ‘68-ës, një polic i bardhë iu afrua duke u zgërdhirë: “E hëngri pataten ai shoku yt!” Kishin vrarë udhëheqësin e lëvizjes, Martin Luther King, Jr. “S’durova dot, lashë punën, dhe vendosa t’i kushtohem fotografisë.”

I tregova që këto ditë kam bujtur në Harlem, ku më bie të kaloj përditë në bulevardin Malcolm X. E pyes nëse e ka njohur Malcolm X-in, heroin që frymëzoi zezakët të përdornin çdo mjet kundër dhunës së të bardhëve. Louis-it i ndritën sytë. 

“Unë jam nga Harlemi. Jetoja aty kur Malcolm X-in e vranë në klubin e natës Audubon Ballroom, dhe u ndodha në klub natën para se të ndodhte gjëma, ja, me këtë!” – dhe më zgjati aparatin. Ndjeva se preka historinë, sikur njoha protagonistët e ngjarjeve të mëdha që e bënë këtë vend të bekuar. 

Ikona si Louis Mendes janë pjesë e trashëgimisë kulturore dhe njujorkezët e mbështesin sepse ai i bën të ndjehen që kanë një histori, një identitet. Dhe më shkon mendja tek vendi im ku fshirja e objekteve të kujtesës kolektive, fshirja e identitetit, kontribuon po aq sa varferia dhe korrupsioni në shpopullimin me shpejtësi të trojeve tona. POSHTË betoni!