Pesë simbolikat e dorashkave të vjetra të Bernie Sanders (Shqipërim)

Share on facebook
Share on google
Share on twitter
Share on linkedin

1. Dorashkat, si gjykim i rezervuar

Mediat këto ditë kanë rënë përmbys mbi dorashkat e Bernie Sanders: jo vetem se ishin punuar me dorë në një kohë që botën e ka mbytur manifaktura, jo vetëm se ishin krejt të rëndomta, por dhe sepse i treguan botës që Bernie s’e pat vrarë hiç mendjen kur vendosi t’i vishte: “plevit i madh – këto do më mbajnë ngrohtë.”Edhe qëndrimi i Bernie-t flet shumë: i kërrusur, duarkryq, i veçuar nga turma. Nuk të jep përshtypjen e një njeriu që e lanë jashtë partisë, përkundrazi, të një njeriu që as i bëhet vonë fare t’i bashkohet partisë. Gjatë inagurimit, që, aq shumë u portretizua si shfaqje e unitetit ndërpartiak, dorashkat e Bernie-t përfaqësonin çdonjerin që kurrë s’u bë pjesë e konsensusit të gatuar nga elitat. Dorashkat nuk ishin bojkot i inagurimit në vetvete: s’kish njeri që të donte ta shporrte Trumpin më shumë se Bernie. Por dorashkat shprehën qartazi rezervat në gjykim për atë ç’ka pritet të vijë. Mbi duart e kryqezuara, ato dukej sikur thoshin: “Pa të shohim se ç’do bëni, e pastaj flasim për unitetin.”

2. Dorashkat si paralajmërim

Por dorashkat përfaqësojnë më shumë se kaq. Nëse i shihni me vemendje, prej leshit të tyre vjen një paralajmërim. Bota mbeti pa mend nga pamja e ngrysur e Bernie-t në inaugurim, sepse ai mishëroi shpresën që kundërshtimi moral ndaj përqëndrimit të pushtetit dhe parave në Amerikë është ende gjallë, atëhere kur ky qëndrim nevojitet më shumë se kurrë. Krahët e kryqëzuar dhe mungesa e harmonisë në veshjen e Bernie-t, në atë moment dukej sikur thoshin: “Mos na shkelni në kallo.” Kur e gjithë kjo potere të fashitet, do ketë pasoja nëse administrata Biden-Harris nuk do të ndërmarrë veprime transformuese për kombin e planetin që po jep shpirt. Këto pasoja, ndryshe nga koha e Obamës, s’do duan vite të ndodhin – fryma revolucionare tashmë është brenda, në dorashka.

3. Dorashkat si ndërgjegja e liberalëve

Dorashkat e Bernie-t nuk u bënë obsesion vetëm për mbështetësit e tij që aq shumë shpresonin t’i shihnin ato copa leshi të ashpër, të vendoseshin mbi biblën e inagurimit. Ato prekën një nerv edhe tek liberalët – tek ata liberalë që në fushatë, me klithma zemërimi, u ngjirën duke e përçmuar në publik Bernie-n për president. Ndërsa tani na shkëmbekan meme me dorashka, e na tregojnë histori të lezetshme se si dorashkat i thurri një mësuese (sa e zonja!) ose se si Bernie ia huajti dorashkat një infermieri të mardhur (na ngrohu shpirtin!) Si ta kuptojmë këtë? Si na u transformoka Bernie kaq papritur, nga socialisti i rrezikshëm, në babagjyshin e dashur, pas të cilit po lënë kokën të gjithë? Në një nivel, është shumë e thjeshtë: si kryetar i Komitetit të Buxhetit të Senatit, Sanders përbën kërcënim shumë më të vogël, se sa si kandidati presidencial që doli me premtimin se do të rishpërndante pasurinë dhe do të eleminonte motivin e fitimit nga shëndetësia. E thënë ndryshe, elita e Partisë Demokratike e ka më kollaj ta dojë Bernie-n kur ai rishpërndan dorashka të bëra me dorë, për aq kohë sa i mban duart larg nga miliardat e donatorëve të tyre. Madje u bën mirë ta tolerojnë një krah rrëmujaxhi të partisë, pikërisht sepse udhëheqja është shumë e shkëputur nga baza e saj, klasa punëtore. Në këtë kontekst, përqafimi i vonshëm publik i Bernie-t ngjan me marifetet pseudo-populiste të fushatës së zgjedhjeve, si p.sh. kur kandidatet hanë sa për sy e faqe ushqim të fërguar, kur dihet që s’e shohin dot me sy, apo kur vishen si njerëz të zakonshëm.

4. Fitimi i besimit të njerëzve të thjeshtë

Në mediat liberale, java e inaugurimit shënoi një kthim marramendës në epokën e Obamës për sa i përket mbulesës mediatike që u bëhet pjesëtarëve të familjes së parë, si koka të famshme të globit. A ka siguri biçikleta Peloton e Biden-it? Kush ia qepi rrobat Jill Biden-it? I patë bluzat feministe të motrës garipe të Kamalës? Moda e mbulimit mediatik të mënyrës së jetesës së politikanëve ishte pothuajse në gjumë gjatë epokës Trump. Sigurisht, Shtëpia e Bardhë qe plot me pasanikë truphollë që mbanin dhe konsumonin gjëra të shtrenjta, aq të dëshiruara nga të gjithë. Por ata ishin proto-fashistë dhe mashtrues të pacipë, kështu që po të merreshe shumë me pelerinat e Melanisë apo me bizhuteritë e Ivankës, lije shije të keqe. Por kjo tani ka marrë fund. Megjithatë, akoma mbeten ca bezdira në perceptimin e publikut. Në fund të fundit, jemi në një pandemi globale dhe uria sa vete po shtohet, ndërkaq që ultrapasanikët e kanë rritur shumë pasurinë e tyre gjatë kësaj periudhe të vdekjeve masive. Këtu hyjnë në punë dorashkat. Është e qartë se disa njerëz në majat e Partisë Demokratike e kuptojnë se nëse do të ngrohen nën rrezet e kthimit magjepsës të “normalitetit” neoliberal, ua do puna ca lidhje me realitetin. Prezenca e Bernie-t aty, me xhupin, dorashkat dhe atë maskën një-përdorimshme, u erdhi përshtat. Por mos t’ju gënjejë mendja. Sepse dorashkat kanë edhe një kuptim tjetër, akoma më të fuqishëm.

5. Dorashkat si fleks (tregim muskujsh) i lëvizjes

Ka dorashka dorashka, por ka edhe dorashka meme, një simbolikë e mbingarkuar e dorashkave që duket se ndodhi brenda sekondave kur ato dolën në skenë. Përpara se Gaga të kish kënduar himnin kombëtar, përpara se Biden të kishte përsëritur nëntë herë fjalën “bashkim” dhe tre herë fjalën “të bashkuar”, dorashkat e Bernie-t po fluturonin nëpër internet. Brenda disa orësh ai qe mbivendosur mbi mijëra imazhe ikonike, qe ndërfutur në filma dhe po bënte xhiro kudo ku mund të qarkullohej.

Është thelbësore të kuptohet se kjo s’ka lidhje fare me ndonjë gjë që bëri Bernie – përveçse të të qënit Bernie, në mënyrën që vetëm ai di të jetë. Ashtu si fushata e tij primare që bëri histori në 2020-n, fuqia simbolike e dorashkave ishte puna e “Ne” në sloganin e fushatës së “Jo Unë, Ne”, (Not Me, Us,) një lëvizje e decentralizuar e lëvizjeve që përfaqësojnë mijëra organizata bazë e dhjetëra miliona votues, dhe që synon politika që, sipas shumë sondazheve, mbështeten nga shumica e votuesve demokratë, por që janë refuzuar nga elita: kujdesi shëndetsor për të gjithë, marrëveshje e re për planetin, anullimi i borxhit të studentëve, arsimi universitar falas, taksa për të pasurit, etj.

Në ditën e madhe të Biden-it, lëvizja që përfaqëson politikat dhe vlerat e mësipërme, u përçua globalisht nëpërmjet një palë dorashkave të vjetëruara. U arrit sepse qe e mundur. Ishte një fleks i vogël miqësor, shoqëruar nga një rrymë e nëndheshme jo dhe aq miqësore. “Jemi akoma këtu,” thoshte. “Provoni të na injoroni, por herës tjetër s’do të rrimë kaq urtë.”

Shkëputur nga: The Meaning of the Mittens: Five Possibilities, – botuar në The Intercept nga Naomi Klein, 21 janar 2021

Shqipëruar nga Aneta Mihali Xhiku, 23 janar 2021

https://theintercept.com/2021/01/21/inauguration-bernie-sanders-mittens/?fbclid=IwAR2UMVaizmAgJ0DBTM-IU-_umZmPxzBQqfsrlNE_NqEfAt1o4G1ec73q4Ow