Holokausti më grabiti rininë. Korona po më grabit vitet që më kanë mbetur.
Origjinali në anglisht nga Toby Levy – 3 janar 2021
Këto kohë jam mërzitur ca. Shpëtimin e gjej tek shëtitorja që e kam dy blloqe larg. Po të dua, mund të shkoj në Coney Island më këmbë, vetëm. Kam miq këtu. Luanim letra, zakonisht një herë në javë, por kur erdhi korona, vajza nguli këmbë “harroje të mblidheni bashkë në një dhomë!” Kështu që flas në telefon. Lexoj. I shoh gonërit* kur më dalin në zoom**. Mbaj ndonjë ligjëratë në zoom për Muzeun e Trashëgimisë Hebraike. E zë veten me punë dhe kjo më ndihmon goxha. Përpiqem të mos dorëzohem. Por ajo që më dëshpëron është se po humbas një vit. Dhe kjo më shqetëson tej mase. Jam 87 vjeçe dhe gati një vit e humba. Bëj sa mundem të qëndroj e lidhur me njerezit, të lë një gjurmë. Kështu që, edhe tani, në mes të koronës, tregoj historinë e jetës sime, nëpër shkolla dhe audienca që organizon museumi në zoom. Dhe ja çfarë u them:
Linda në 1933 në një qytet të vogël të quajtur Chodorow, (Khodoriv) rreth 30 minuta me makinë nga Lvov, (Lviv,) në atë që atëherë ishte Poloni, por tani është Ukrainë. Jetonim në qendër të qytetit, në shtëpinë e gjyshit. Rusët na pushtuan nga 1939 në 1941, pastaj erdhën gjermanët, nga 1941 në 1944. Babai gëzonte simpati në qytet, si nga hebrenjtë ashtu dhe nga të tjerët. Një ditë, në fillim të 1942-it, erdhi një djalë dhe i tha: “Moshe, do bëhet kërdia. Është mirë të gjeni një vend për t’u fshehur”. Kështu, babai ndërtoi një vend të fshehtë në bodrum. Gjyshi s’desh të vinte. E qëlluan në kuzhinë. E dëgjuam. Më pas gjermanët thanë se hebrenjte e mbetur do t’i zhvendosnin në një geto në Lvov, prandaj babai dhe halla kërkuan të gjenin njeri që të na mbante fshehur për një kohë të gjatë. Kështu gjetën Stefaninë që e kishte shtëpinë me kopsht dhe hambar, në rrugën kryesore. Kish një jetë që i njihte prindërit e mi. Babai ndërtoi një mur brenda hambarit dhe një vend të fshehtë, për nëntë veta, ku flinim si sardele. Hapësira qe katër me pesë. Derrat dhe pulat në njërën anë, ne në anën tjetër: prindërit, halla, xhaxhai, gjyshja ime nga mëma dhe katër fëmijë 4, 6, 8 dhe 12 vjeç. Erdhi puna që, me ndihmën e djalit 16 vjeç të Stefanisë, e zgjeruan pak hapësirën dhe gjetën një mënyrë që ne, fëmijët, të shikonim se ç’bëhej jashtë. Aty kalova dy vitet e tjera. Ndërsa më kap dëshpërimi, sjell ndërmend atë djalosh, që, kur Stefania kish frikë të na mbante fshehur, ai nguli këmbë të vazhdonim të qëndronim.
Zumë morra. Na mbytën minjtë. Por çdo ditë që kalonim në hambar ishte një mrekulli. Unë s’jam njeri dosido. Jam fëmija mrekulli. Shumica e hebrenjve të Chodorow-it nuk u kthyen më kurrë. Kështu që, kur erdhi korona, i thashë vetes: “Unë jam mrekullia. Do t’ia dal mbanë. Me domosdo që do t’ia dal.” Gjatë luftës nuk e dinim nëse do ta gdhinim të nesërmen. Atëhere s’kisha fare liri. S’mund të flisja me zë të lartë, s’mund të qeshja, s’mund të qaja. Por tani e ndjej lirinë. Rri pranë dritares e vështroj përjashta. Gjëja e parë që bëj në mëngjes është të hedh sytë jashtë e të kundroj botën. Jam gjallë, kam ushqim, dal, shëtis, bëj ndonjë pazar. Dhe i them vetes: asnjë s’do më vrasë. Akoma lexoj, gatuaj nga pak, psonis. Mësova kompjuterin, merrem me gjëagjëza. Ndonjëherë e ndjej se po humbas. Iku një vit i tërë. Unë humba fëmijërinë, vitet e adoleshencës s’i jetova kurrë. Dhe tani, në pleqëri, m’u shkurtua jeta një vit. S’më kanë mbetur shumë. Mënyra se si kemi jetuar këtë vit do të thotë se kam humbur shumë mundësi për të ligjëruar, për t’u treguar njerëzve historinë time, që ata të mund të më shohin dhe të mësojne se Holokausti i ka ndodhur një njeriu të vërtetë, që sot qëndron përpara tyre. Ka rëndësi.
Kam frikë se nuk jam në formë si një vit më parë. Kur zuri korona në mars, një nga nipërit që jetonte në New Jersey shkoi me gruan në Maine, nga nuk u kthyen më. Tani janë bërë me djalë dhe beben e kam parë vetëm në Zoom. Ky fëmijë nuk do të më njohë kurrë. Kjo është humbje. Ajo ç’ka humbas është e thjeshtë. Kam një shok që e kam njohur në sinagogë. Nëse do të qe e mundur, do ndërmerrnim një udhëtim me makinë. Kudo që të ishte! Do më pëlqente të shkonim në Florida. Mbase dhe në Izrael, për disa javë. Por jo tani. Pra, kjo më ka shkurtuar jetën. Kjo është ankesa ime më e madhe. E kuptoj friken që kanë njerëzit, e kuptoj që njeriu duhet të ketë kujdes. Por ankthi i koronës as që ka të krahasuar me terrorin që kam ndjerë si fëmijë. Ajo frikë s’kish kufij. Korona do të marrë fund dhe ndërkaq po mendoj, po bëj plane, se ku do shkoj në fillim, çfarë do bëj përsëpari, kur e gjithë kjo të ketë sosur.
Toby Levy është llogaritare në pension dhe shërben si docente vullnetare ne Muzeun e Trashëgimisë Hebraike.
Shqipëruar nga Aneta Mihali Xhiku, 4 janar 2021
Shënim: gonërit* – nipër e mbesa zoom** – komunikim me video
