Gëzuar Pashkët!

Share on facebook
Share on google
Share on twitter
Share on linkedin

Në festën e Pashkëve kujtojmë të dashurit tanë.
Përpara se të lija emigracionin, vendosa të shkoja në Ellis Island të New York-ut, për të kërkuar gjurmët e paraardhësve. Udhëtoja me Ninën, shoqen time të Institutit, që e takova me shumë mall në New York, pas 20 vjetësh. Në muzeun e emigrantëve, punonjësja që na u afrua, për fat, e kish të dashurin shqiptar, kështu që misioni ynë u bë misioni i saj. Nuk u besova syve kur më doli në ekran emri i stërgjyshit tim, Vassili Mihali. Sikua, siç e thërrisnin, shkeli në Amerikë 113 vjet më parë si sot, më 17 prill 1907. Si do të jetë ndjerë vallë kur, pas muajve rraskapitës në mes të oqeanit, përshëndeti Statujën e Lirisë, ndërsa anija futej në Ellis Island, aty ku niste ëndrra amerikane e emigrantëve? Ishte vetëm 20 vjeç kur udhëtoi nga Lunxhëria për në Turqi, pastaj për në Liverpul të Anglisë, prej nga u nis, me anijen “Carmania,” për në New York. E gjej emrin e tij mes 20-vjeçarëve të tjerë, filiza të njomë nga gjithë rruzulli, që lanë pas varfërinë e luftërat në vendet e tyre, për të ngritur me gjak e djersë Amerikën e bekuar. Manifesti i hyrjes e shënon Sikon me kombësi turke dhe greke (Shqipëria qe ende pjesë e perandorisë osmane + myslymanët shqiptarë i quanin turq dhe ortodoksët shqiptarë i quanin grekë,) por emri i tij s’lë dyshim se është shqiptar: Vassili MIHALI. Ndonëse e kanë regjistruar beqar, në Lunxhëri kishte lënë Evdhoqinën shtatzënë me papun tim, Gaqe Mihalin, që më vonë do ta ndiqnin pas në tokën e premtuar. Megjithëse sakrificat e tyre, të paimagjinueshme për ne, iu shpërblyen ekonomikisht, ata s’e harruan kurrë vendlindjen, dhe gjithshka e investuan për të ngritur mirëqënien e familjes, aty ku u kish rënë koka. Në sajë të tyre, sot në Amerikë jeton brezi i tretë, i katërt, i pestë dhe i gjashtë i familjes Mihali, me përjashtim të 3 degëzave që jemi në mëmëdhe, ndërsa stërgjyshërit i mbyllën sytë në Lunxhëri, atje ku balta është më e ëmbël se mjalta. U ndrittë shpirti në parajsë!

Papu i vogël me babanë e njerkën