Ky vogëlushi sot mbush 88 vjeç. Dita e tij në New Jersey filloi me mesazhe urimi, në sfondin e këngëve labe e serenatave te Eli Farës. Meraku që e bren është nëse korona do ta lejojë të bëjë udhëtimin e përvitshëm në Sarandë, që të shijojë edhe një herë shtëpinë e ngritur në shkëmb me duart e tij, që të përqafojë Marinën, motrën e vetme, pa telefonatën e të cilës nuk hapet dita; që të përkëdhelë edhe një herë Jawën, motorin besnik që e çoi fshat më fshat për 35 vjet, e tani pret të zotin të kthehet.
Ka merak të shohë Krinën e Lunxhërinë, vendin ku i ka rënë koka e ku i vijnë kujtimet pas: nënën që e merrte me vete kur shkonte në arë, e ai, këmbëzbathur, ankohej “mardha mëmë, mardha”; babanë që e takoi kur qe 4 vjeç, e pastaj 24 vjet më vonë, i martuar; shtëpinë që ua dogji gjermani si familje lufte; shokët e vogëlisë e lojërat e para; gomarin me dru që i shkiste e i përmbysej, rrugës për në pazarin e Gjirokastrës; jetën në konvikt si asimzenelas; majën e Çajupit ku ngjitej të merrte borë për birrat e mbrëmjes së maturës, e fizarmonikën me pulla që kseaste shoqërinë; dashurinë e parë që i dhuroi familjen dhe statusin e stërgjyshit…
Sot ëndërron të çmallet me kushërinjtë e lunxhiotët zemërbardhë, me shokët e rinisë e të punës, me komshinjtë e sarandjotët që e bëjnë ta harrojë shkopin e t’i zbresë shkallaret si djalë. Ah, sikur t’i lagë edhe një herë këmbët në detin e tij, e t’ia marrë labçes me çobanët në stane! Të ndezë një qiri aty ku prehen miqtë e jetës, të paharruarit Zenel Poçi, Kiço Nika, Qendro Cici, Totua (Miho Xhani,) Savi Shyti…
Ndërsa i flas për njerëz e ngjarje të shkuara për t’ia terrur mjegullën e moshës, ka momente që më befason:
-Në 1970 më dërguan në Hollandë, nga ku nisa me vapor 5446 lopë laramane.
-Si e mban mend numrin?
-Se i zgjodha vetë, një për një, fermë më fermë. Majën e gjërit!
Shumë s’më njohin në Sarandë se kam qenë larguar, por kur u them se e kujt jam, u çelet fytyra “Ah, Polua, njeriu i mirë!” Emri i mirë është pasuria më e madhe që mund t’i lerë njeriu familjes e bashkëkombasve të vet. Gëzuar ditëlindjen babushi im!






