Diell e qiell

Share on facebook
Share on google
Share on twitter
Share on linkedin

Dielli kish pushtuar të dielën dhe po më grishte jashtë. Fytyrëzbehtë e kokërënduar nga gripi që ma gozhdoi javën në shtrat, u përpoqa të gjej një arsye për të dalë. Këpuca! Do shkoj të rregulloj këpucën! Sapo i pata blerë në Janinë me çmim të kripur, por më lanë në baltë me ra taka në xhiron e dytë – hajde gjeje sa e vërtetë është marka italiane që ta tundin përpara hundës, si karrotën veshgjatit. Globalizëm hesapi! 

Futem në rrugica në kërkim të këpucarit, por qepenat e dyqaneve janë mbyllur. Ka lezet! E diela është për t’u shplodhur. Këmbët më tërheqin osh përpjetë “Myslym Shyri”-t. Po vjen dreka, dhe, megjithë motin zemërgjërë, rruga më e bukur e kryeqytetit është e mekur. Pasanikët i kanë hypur makinave dhe kanë mësyrë restorantet në rrethina, duke na lënë ta gëzojmë për ca orë Tiranën, pa smog e zhurmë. Por qysh nga tërmeti ajo është mpakur. Damarët i janë holluar dhe pulsi i regëtin dobët.

Hyj në pedonale dhe çelem kur shoh Flavion me kitarë tek vendi i zakonshëm, në krah të teatrit. Diell e muzikë, dhe i thua hallit “ku të kam parë, or vlla!” Për paksa. Lokalet aty pranë janë plot me njerëz të veshur mirë, që gjerbin kafenë me nge. Kalimtarët venë e vijnë, pa u ndalur asnjë grimë për të shijuar virtuozin. Por ja ku mbërrin një trumbë djelmoshash, ngarkuar me çanta e pajime joge, që nga pamja duket të jenë nga Lindja e Mesme. Shtrojnë tapetkat ku vendosin nja dy libra, shënjuese libri, e verore ngjyra-ngjyra (1€ copa!) por askush nuk i begenis. Janë 6 shokë, studentë nga Turqia, që udhëtojnë me autostop në vendin e vet, duke u ndarë dy e nga dy, për lehtësi e siguri. Vendosën të provojnë Ballkanin në të njëjtën mënyrë. Arritën dje në mbrëmje nga Mali i Zi, por, megjithëse kishin bërë rezervim në një hostel në Tiranë, u kishin mbyllur derën. “Po rezervimi bëhet që të mbahet, përndryshe, pse quhet rezervim?” u çudita unë. Natën e kishin kaluar në tenda, të shkretët. S’po u ndrin fati as këtu: ja ku afrohet një police vajzurinë që u kërkon të mbledhin plaçkat e të ngrihen. “S’lejohet të shesin pa lejen e bashkisë, përveçse librave,” e ndërsa përpiqem të arsyetoj me të, çunat janë gati për stacionin tjetër. Vendos t’i shoqëroj tek Pazari i Ri, ku mund të kenë më shumë fat. Rrugës më tregojnë se studjojnë për inxhinieri mekanike, histori e anglisht, ndërsa unë ndaj pak kryeqytet me ta. Para Teatrit Kombëtar u tregoj për qëndrestarët, për gropat lubi që përpijnë hapësirat publike e objektet e kujtesës kombëtare, për grataçelat, për diktatorët. Thonë se më kuptojnë plotësisht, në vendin e tyre ndodh e njëjta gjë. “Vetëm Qemal Ataturku ishte i mirë për Turqinë!” thotë më i riu, dhe mua më ndrit nuri. I spjegoj që Ataturku është shqiptar nga Dibra, dhe se shumë shqiptarë të shquar kanë shkrirë talentet e tyre për Turqinë. Dua t’u tregoj xhaminë e Et’hem Beut, por e kanë mbytur skelat. Skënderbeun nuk e kanë dëgjuar dhe kujtojnë se monumenti mbi kalë është i diktatorit. U mësoj si të shqiptojnë “faleminderit” dhe u spjegoj etimiologjinë e fjalës: i Falem Nderit. Nderi, dikur institucioni më i lartë i shqiptarit, tani është zëvendësuar nga paraja…

Kemi mbërritur pranë ish-kinema Partizanit, ku është vendosur Credins Bank, me skulpturën moderne “Monedhat” në hyrje. U tregoj se dollari, euro dhe leku simbolizojne aspiratat kombëtare për një ekonomi të fortë, me sytë nga perëndimi. Ndërkaq që po i afrohemi pazarit, trotuari ngushtohet dhe për herë të parë u kushtoj vëmendje fytyrave që na vijnë përballë. “Ç’janë këta surretër, moj!? Na mbytën arabët!” i ankohet shoqes një mesogrua, me fytyrë të thartuar. Më zgjohet instikti i mëmës dhe jam gati të luftoj me gjithë botën, por çunave nuk u bie në sy. E lexojnë vallë armiqësinë dhe indiferencën në sytë e kalimtarëve? Si do të qe reagimi nëse djemtë do t’u dukeshin perëndimorë? Mbase do t’ua kishin mbajtur atë të shkretë dhomë tek hosteli! M’u kujtua histeria kundër muslimanëve, pas sulmit të 11 shtatorit në Amerikë. Një mëngjes, ndërsa po prisja ashensorin për në katin e katërt, tamam në momentin kur u hap dera, mbërriti një djalë që dukej si musliman. Çifti amerikan (i bardhë) që po priste me mua, s’luajti nga vendi. Unë dhe djali hymë brenda, por, për ironi të fatit, ashensori zbriti në katin përdhes në vend që të ngjitej sipër, e pastaj ndali prapë tek recepsioni. Sa u hap dera, çifti u bë gati të futej, por në moment e kuptoi që djali qe ende brenda, dhe u zmbraps. Tragjedi e komedi bashkë! Sipas një raporti amerikan, pas 11 shtatorit, grupet ekstremiste të djathta kanë shkaktuar 73% të akteve terroriste, ndërsa islamistët radikalë vetëm 23% të tyre. Prapëseprapë, stigma s’njeh as fakte e as arsye, dhe kështu e vështirësojmë jetën tonë dhe të bashkëkohësve për vitet që na janë falur në këtë planet. 

Ja dhe Pazari i Ri, i ribërë me gusto! Kafenetë mënt po pëlcasin, njerëzit i gëzohen diellit që shpërndan ngrohtësi e paqe, për sa kohë që sheshi është ende i lirë nga grataçela e radhës. Stendat e tregut janë dëng me fruta e zarzavate, të bukura për syrin, por pa shije fare. Shumica janë mall importi, bile edhe frutat e stinës. Ndërkaq që prodhimet greke dominojnë tregun, mollët e patatet e Korçës përfundojnë ose për derrat, ose në kanal. Fermeri shqiptar nuk ka asnjë arsye që të prodhojë përderisa nuk nxjerr dot as koston, pale fitimin. I qeras djemtë me portokaj të përtej kufirit dhe njëri prej tyre më dhuron një shënjues libri, që e ka pikturuar vetë: një vogëlushe që ka lëshuar tollumbacen në botën e madhe, në qiellin e të gjithëve…