Kukurec

Share on facebook
Share on google
Share on twitter
Share on linkedin

Atë pasdite korriku, ndërsa po shkoja për intervistë në Washington Township, isha gjithë pishmanllëk. Njoftimi në gazetë kërkonte mësuese shkencash për një gjimnaz privat. Kisha punuar si zëvendësuese në Clifton, por vetëm në shkollat tetëvjeçare, ndërkaq që eksperienca ime si arsimtare në atdhe ishte pothuajse hiç. Një zot e di se si do t’ua mbushja mendjen!

Në shkollë më priti Vinci, një thinjosh i moshuar, që rrezatonte mirësi. Më tregoi se dikur kish punuar me një arbëresh, John Cardino-n. E çova bisedën tek lëndët që më kishin pëlqyer më shumë në fakultet dhe Vinci u çlirua kur ndjeu që notoja në ujërat e mia. Më spjegoi se do jepja Biologji në vit të dytë, dhe Anatomi e Fiziologji në maturë. Më dha tekstet me vete, dhe pas dy ditësh mbërriti kontrata. U marrosa nga gëzimi, por nuk zgjati shumë, se ja ku çatisi gushti dhe mua më zunë ethet. Në fakultet kishim bërë vetëm një semester Anatomi, 17 vjet më parë. Po tani si t’ia bëja, isha futur në valle të rëndë!

Mezi prisja të mbaronte orari tek avokati që t’ia mbathja për në librari. Vija përpara vandakun me libra, e me shkrimin si këmbët e pulës, thurrja e çthurrja leksionin inagurial. Erdhi dita e parë e shkollës, ra zilja dhe në kabinet hynë studentet e vitit të dytë: vajza si drita, të gjitha me uniformë, njomishte të rritura me kujdes. Ndjeva që do t’i kisha kollaj t’i mbaja në frë, por ishin maturantet ato që do ma hiqnin tepelekun se, të pranuara tashmë në kolegj, s’pyesnin më për mësuesit. Ende i kam para sysh kur hynë në klasë – 30 zonjusha, shtatlarta, bukuroshe, serioze e indiferente, që më hodhën një vështrim shkarazi e më bënë të ndjehesha e vogël, e vogël, sa një gogël. Por gjithë ato javë mundimi dhanë bereqet – kur mbaroi 90-minutëshi, ato vrapuan të ndanin përshtypjet me drejtoreshën Sr. Ellen, dhe Vincin, që prisnin me gjak të ngrirë se mos u dilja kallpë. Mirë e hodha lumin për sot, po ku do ta gjeja kohën të përgatitesha përditë në atë nivel?

Sa lija shkollën, vrap te avokati për ca orë pune e në mbrëmje i futesha përkthimeve. Mësimin e radhës e përgatisja me panik. Natën më zgjonte një dhimbje e shurdhët në stomak, e në mëngjes gdhihesha si buzë humnerës. Makinën s’e kisha ngarë kurrë, paçka se patentën e mora me provën e parë. Shpirti im e di se si dilja në autostradë dhe në shkollë mbërrija e zbardhur në fytyrë. Me kolegët s’trazohesha shumë se më dukej se do m’i lexonin mendimet në ballë, e konfidenca do më linte shëndenë: truri ngrinte, zëri mpakej, buzëqeshja merrte arratinë. Dy herë në vit na bëhej kontroll nga drejtoria dhe ditët përpara tij, më zinte tartakuti. Mikja ime e jetës, Diana Shanto (Caridha) hiqte picirë në telefon, bashkë me Arturin, që kish qenë pedagog i kardiologjisë në Tiranë. 

Me kohë fillova të përshëndesja në shqip “mirëmëngjes!” dhe klasën e pushtonte alegria. Vajzat përfitonin nga rasti e më pyesnin për Shqipërinë. Kisha studente që punonin fort ta merrnin notën, por shumica nuk e prishnin terezinë. “Si ka mundësi që Amerika është kaq e zhvilluar, nëse rinia nuk arsimohet mirë në shkollë?” – pyeta një zysh të anglishtes. “Klasat janë të diferencuara. Ti jep mësim në nivelin normal, ndërsa yjet janë në nivelin e përparuar (AP,) ku vështirësia e lëndës është si në universitet” më sqaroi Mindy. Biologjia dhe Anatomia AP jepeshin nga Vinci. Studentet e tij ishin zhivë dhe në klasë krijohej një atmosferë shumë e bukur. Ishte viti i dytë që Vinci punonte tek ne, ndërsa në shkollën e mëparshme studentët kishin qarë kur u iku. Ditën e fundit paguan një avion të vogël, në bishtin e të cilit lidhën një pankartë gjigande “Saint Vincent.” Vinci ishte shenjti i të gjithëve, por, mbi të gjitha, ishte shenjti im – ai më dha punën, ai më mbajti me kurajo. Vincent Harold dha mësim deri në pleqëri të thellë. Tani është në të nëntëdhjetat, por vazhdon të jetë aktiv e bën gallatë në facebook. Me gjithë atë dashuri që ka marrë ndër vite, do ta shkojë qindin! 

Washington Township ndodhej në veri të New Jork-ut, në një zonë të pasur, pothuajse të patrazuar nga emigracioni. Prindërit ishin të kamur dhe sponsorizonin aktivitete që ua mbushnin fëmijëve jetën me ngjarje të paharrueshme. Shumica e studenteve merreshin me sporte. Një ditë erdhi Christina Aguilera të jepte koncert – një nga prindërit e kish bërë peshqesh për shkollën. Para Krishtlindjeve shkonim në Radio City, në New York, të shikonim “Rockettes”. Apasionantet e teatrit përgatiteshin gjithë vitin për shfaqjen e pranverës. Komedinë muzikore “Bye Bye Birdie” e pamë familjarisht, dhe, për ca orë, harruam që ishim emigrantë, aq e ëmbël na u duk jeta! Në pak vite, çupat tona mund të studionin falas aty, dhe mbase atë natë fjetën me ëndërra të bukura. Të katërt bashkë, për herë të parë, ndjemë një Amerikë tjetër që na dha shpresën se do vinte dita të jetonim si vendasit. 

Me përjashtim të mësuesit të spanjishtes, isha e vetmja emigrante në trupin pedagogjik. Me siguri që kisha hyrë në bisedat në shtëpitë e nxënëseve që, midis të tjerave, kishin shqetësime për notën që nuk u jepej kollaj. Vajzat qenë mësuar me teste me zgjedhje të shumëfishta, por unë ua kombinoja me pyetje formative, dhe në mbledhjen me prindërit, m’u ankuan. U arsyetova që nëse vajzat do të ishin në gjendje të artikulonin konceptet e trajtuara, do të mund ta zotëronin lëndën dhe do të ndërtonin muskuj për universitet. Shkuan u ankuan tek Sr. Ellen, por e rrahur me vaj e me uthull, ajo s’më ra në sy. Ditën e fundit të shkollës, më thirri në zyrë të firmosja kontratën për shtatorin e ardhshëm. “Kontrollo kutinë postare” më tha kur po ndaheshim. Nxitova në sallën e mësuesve, ku gjeta letrën që një prind i kishte dërguar Sr. Ellen, që në mars. “Në fillim të vitit të nisa një ankesë për zonjën Xhiku. Kemi folur shpesh qysh atëhere dhe gjërat shkojnë mirë, por e ndjej që duhet të të njoftoj me shkrim, veçanërisht për faktin që edhe ankesën e bëra me shkrim. Kristina ka përfituar kaq shumë nga klasa e Anatomisë dhe e Fiziologjisë. Siç të shkrova më parë, asaj do t’i duhet ta marrë këtë lëndë në universitet dhe zonja Xhiku i ka krijuar një themel të fortë për të vazhduar më tej….etj, etj.” Ah, ta kisha ditur më parë, nuk do isha bërë kukurec një vit të tërë! 

Në Immaculate Heart Academy (IHA) ndodhet një statujë e Nënë Terezës, punuar nga Kreshniku. Pak pasi u shpërngulëm në Virginia, i bëmë një vizitë shkollës, kur u ndodhëm në New Jersey. E kishin pushim atë ditë, por e lamë porosi për Sr. Ellen. U kënaq shumë nga dhurata – ishte më e pakta që mund të bënim për ata njerëz të mirë që na pranuan në gjirin e tyre plot dhëmbshuri dhe pa paragjykime. E ku kishte vend më të gjetur për Shën Terezën tonë?

Klasa ime e Anatomise – disektimi i derrkucit

 Vince Harold