Kujt ia merrte mendja se do të gjeja adashen time në fund të botës? Na u puq ylli që ditën e parë. Neta, një bjonde e gjatë, elegante, me një gjuhë që dëftonte prirjet letrare, duhej të kish qënë amazonë në të ritë e saj. Kishte mbaruar fakultetin për administrim biznesi, por nuk i kishte ecur – të dyzetat e kishin gjetur me një bos shpirtzi në firmën me dy avokatë, pikërisht aty ku po shkoja për intervistë. Njoftimin e pashë në gazetë – kërkonin asistente për patentat. Kur aplikova, mendova se do kisha të bëja me radhët e gjata të shoferëve. Në intervistë më mori Lui, një burrë i ngjallur rreth 65 vjeç, që, pasi më pyeti mbarë e prapë, zuri të më përshkruante punën. Meqë makinat s’po i zinte në gojë, e pyeta vetë – ai qeshi dhe më tregoi se patenta është e drejta e shpikësit për të mos lejuar njeri të bëjë para me shpikjen e vet, pronësia intelektuale, e quajtur ndryshe. Rashë brenda me këmbët e mia! Por Luit i mjaftoi që kisha eksperiencë zyre, isha nevojtare dhe kisha energji – ende s’kisha mbushur 35. Caktoi orarin dhe të nesërmen fillova punë. Në drekë më ftoi në një restorant ku pagoi ai – dreka e mirëseardhjes, mendova. Më tregoi se kish lindur në Poloni, në një familje hebrenjsh, gjatë viteve të Holokaustit. Prindërit s’i mbante mend – qe ndarë prej tyre kur ishte 2 vjeç dhe më vonë mësoi se kishin vdekur në kampet e përqëndrimit. Ende foshnjë, e kishin çuar fshehtaz në Angli. E kaloi fëmijërinë në një familje angleze, dhe më vonë u shpërngul në një familje në Amerikë, ku u rrit, u shkollua, ngriti zyrën e vet, dhe krijoi familje. Fëmijët i kishte nxjerrë në jetë e këto qenë vitet e arta për të dhe të shoqen. Atë ditë u ktheva në shtëpi e gëzuar – gjërat dukeshin për së mbari: zyra e këndshme, puna e kollajtë, Lui xhentil e i duruar. Të nesërmen, rreth orës 12, Lui doli nga zyra dhe më thotë të bëhesha gati për drekë. “Është në terezi ky, ku ma mban xhepi mua restorantin? Sikur nuk e di se sa më paguan!” U mendova një hop dhe vendosa të shkoj. Restoranti qe i njëjti – u ulëm dhe porositëm. Më kishin hypur kacabunjtë dhe ai e ndjeu se muhabeti ngecte. Hëngra pa i ngritur sytë nga pjata. Kur mbaruam, Lui i bëri me shënjë banakierit, dhe nxorri në tavolinë kartën e kreditit. “Veç e veç llogarinë” – i thashë kamarierit që erdhi të mblidhte pjatat. Pagova pjesën time dhe u ngritëm. Në makinë Lui s’e hapi gojën, por sinorët u vunë.
Neta kish kohë që punonte për Filipin, i cili kishte ardhur ilegalisht në Amerikë nga Rusia. Gruan e vajzën s’i kish marrë dot me vete. Hëngri dynjanë në punë të zeza për vite me radhë, derisa fati i pruri Luin që e ndihmoi të bëjë shkollën e avokaturës dhe të bashkohej me familjen. Kur u diplomua, Lui i ofroi ta bënte bashkëpronar në zyrën e vet. Tani Filipi ishte në të pesëdhjetat, me një aksent të pakëndshëm por i fryrë si gjel, me klientelë shumë më të madhe sesa Lui që ish në prag pensioni e punonte se donte sebep të dilte nga shtëpia. Që në ditët e para e ndjeva që Lui rrinte squk përpara Filipit – kushedi se ku ia kishte zënë kokën me derë rusi! Ndoshta diç dinte për ish-sekretaren emigrante që Lui e mbante në shtëpi prej vitesh – për bamirësi, thoshte. Marrëdhënia e Filipit me Luin më sillte ndërmend kungullin që qe rritur e kish zënë gardhin, derisa një ditë s’mu durua e ia plasa. Qe hera e dytë që bëhesha dëshmitare e një skene të papëlqyer. Lui, i kthyer si zakonisht nga dreka, futej në zyrën e tij e rehatohej në kolltukun e zi, që kish filluar të hahej nga tënja, pesha dhe koha. E zinte gjumi mbi shkresa, koka e shogët i varej mbi gjoks, e niste të gërhiste lehtaz. Kur ja, pa u ndjerë, si mi gjirizi, hynte Filipi me një barrë librash të trashë, që i arrinin deri në mjekrën qose. Afrohej tek tavolina e Luit, ngrinte krahët përpjetë, dhe bëlldum! i lëshonte librat me tërsëllimë në dyshemenë prej dërrase. Lui kërcente përpjetë i lemerisur, ndërsa Filipi ia plaste gazit i shfrenuar, duke u përpjekur të përfshinte dhe mua me Netën në cirkun e vet. Mirë të tjerat, po si s’kishte frikë që mund t’i shkaktonte pushim zemre Luit diabetik? Ishte dhe njeri i ligjit, pale! I kënaqur me poshtërimin që i shkaktonte kolegut, tërhiqej në zyrën e vet për t’u marrë me klientët që i qethte mbarazi. S’kish kaluar as një orë nga ky palaçollëk, kur të dy u kapën me fjalë – kungulli, me arrogancë, i kërkonte gardhit t’i lëshonte sallën e konferencës. Kur kungulli doli, iu avita gardhit. “Si mund ta lejosh veten të të trajtojë në këtë farë feje ky biçimsëz?” Lui me siguri që paguante kusuret e veta, por ja që s’e gëlltisja dot të shihja një të moshuar katandisur në atë derexhe. Kish nevojë për një të shkundur të mirë që të mblidhte veten e t’i tregonte dhëmbët kungullit që qe bërë buall. Me kohë Lui filloi rezistencën dhe Filipit zunë t’i bien puplat – mbyllur në zyrën e vet, rrethuar nga librat e ligjit, etikës e moralit, gatuante poshtërsinë e radhës.
Ujërat u trazuan një ditë, kur aty nga ora 2, Lui më tha “kaq kishim për sot” dhe unë u ktheva herët në shtëpi, pa pagesën e orëve që kishin dalë çyryk. Një ditë, dy, tre – i njëjti avaz. Në fillim arsyetova “s’ka fuqi, s’ka punë, s’ka faj,” por ja ku m’u faneps ai premtimi i intervistës për punë me kohë të plotë, dhe s’po më shqitej nga truri. Kontratë s’më kishte bërë, e fjalët i kish marrë era – dy duar për një kokë! Në mbrëmje, pincë mbi gazetë, zgjidhja njoftimet që më interesonin. Të nesërmen, në zyrë, bëja telefonatat për të rregulluar intervistat. Zemërata qe kthyer në furtunë e më kishte bërë të verbër ndaj vështrimeve gjithë mllef që më hidhte bualli. Një ditë korriku, ula receptorin e i shkela syrin Netës, në tavolinën përkarshi – kisha siguruar një intervistë për mësuese shkence në një gjimnaz privat vajzash, gjysëm ore prej aty. Mbarova punën e ia mbatha për në moll, ku i mora dyqanet me radhë, në kërkim të kostumit të lirë e të mirë. Pas tre ditësh, me kontratën e gjimnazit në xhep, mbërrita në punë. Lui, hyr e dil nga zyra e Filipit, më kërkoi të bisedonim në sallën e konferencës. Kur u ulëm, më njoftoi se kish vendosur të më punësonte me kohë të plotë. “Sa orë në javë?” e pyeta duke e parë drejt e në kokërrdhok të syrit. “35” u përgjigj, pasi hezitoi pak. “Po paketën e përfitimeve?” U përtyp, e më tha që edhe atë do ma jepte. U mbështeta në tavolinë dhe i thashë se tani s’kisha nevojë, as për njërën, e as për tjetrën. Veç ta shihje pamjen që i mori fytyra! “Si kështu? Po punën këtu?” Ajo dreq mirësjellje ngulur qysh në fëmijëri, bashkë me ndjeshmërinë ndaj moshës së thyer, më penguan ta shijoja spektaklin deri në fund. Një muaj më parë ma kish kapur ai kokën me derë: i kërkova leje të merresha përkohësisht me një projekt që do më hapte shumë mundësi – megjithëse punë s’kishte, ma refuzoi pa i bërë syri tërr. Tani ishte radha ime ta shihja tek përpëlitej. I thashë që shkolla fillonte në fund të gushtit, por do vazhdoja të punoja për të pas mësimit, se kisha nevojë. Më vonë, nga Neta, mësova që ishte Filipi ai që ia kishte vënë këmbët në një këpucë “o hiqe, o mbaje, se po më merr në qafë dhe këtë timen!”
Neta u gezua me gjithë shpirt për punën time, por tani ishte radha e saj. “Hidhu goce! Kur ia dola unë që sapo erdha nga fundi i dynjasë, ti ç’pret akoma?” Jeta ia kish thyer besimin tek vetja e tek njerëzit, por ndonjëherë, mjafton një guralec që të nisë orteku i ndryshimit. U regjistrua për master në arsim, ndërkaq që unë fillova vitin e vështirë të mësimdhënies. Në verën që pasoi, u shpërngula me punë në Washington DC. Një ditë i rashë telefonit për të përshendetur Netën – e ngriti receptorin e duke pëshpëritur më tha që Filipi ua kishte ndaluar të zinin emrin tim në gojë, e unë s’duhej të telefonoja më në zyrë. “A m’u bëfsh kurban!” Pas dy orësh i rashë prapë telefonit dhe këtë herë e kapi Filipi. “Lui Goodwin kërkoj, jam Aneta Xhiku” i thashë prerë. Veç ta dëgjoje pehlivanin në anën tjetër, mjaltë e sheqer!
Kanë kaluar 20 vjet e akoma vras mendjen – si ka mundësi që njerëzit që kanë përfituar kaq shumë nga mirësia e të tjerëve, të mos jenë ndikuar sadopak në natyrën e tyre? Është kaq e trishtë të mendosh se deformimet janë finale! Vjet u ndodha në Clifton dhe u bëra kurioze për zyrën e vjetër – i rashë telefonit dhe më doli Filipi. Më tregoi se Lui ishte shpërngulur diku në Ohio. Numrin e telefonit nuk e kishte, ose e kishte dhe më gënjeu, zullapi. Pak rëndësi ka, thjesht doja të dija në ishte ende gjallë. Nga gjithë kjo histori më intereson vetëm adashja ime që tani jep mësim në shkollat e Brick-ut, buzë oqeanit – dy vjet pas meje, i la shëndenë zyrës dhe Cliftonit. Më thotë se ëmbëlushat e klasës së parë i dërgojnë pusullka dashurie….
