Babushkat e Çernobilit (Shqipërim)

Share on facebook
Share on google
Share on twitter
Share on linkedin

30 vjet pas katastrofës bërthamore të Çernobilit, rreth 100 plaka vazhdojnë të jetojnë në tokën e stërgjyshërve, brenda zonës radioaktive. Janë kontigjenti i fundit i një mijë e ca të moshuarve, shumica gra, që u kthyen në Zonën e Përjashtuar disa javë e muaj pas katastrofës së 1986-ës. Ndërsa shumica e fqinjëve kanë ikur prej kohësh, dhe bashkëshortët e tyre kanë ndërruar jetë, ky komunitet grash rebele e mban frymën gjallë në tokën më toksike të planetit. Pse këmbëngulin të jetojnë në tokat që qeveria dhe shkencëtarët i kanë konsideruar vdekjeprurëse? Si arrijnë t’ia dalin të izoluara në një peizazh të braktisur, rrethuar nga ushtarë e kafshë të egra? Si ka ndikuar rrezatimi në shëndetin e tyre këto 3 dekada?                                                                                

Historitë e tyre janë në qendër të dokumentarit “Babushkat e Çernobilit.” Hanna Zavorotyna, një nga protagonistet, tregon se si çau ferrat për t’u futur në fshatin e saj në verën e 1986-ës. “Na qëlloni dhe pastaj na fusni në varr” u tha ushtarëve që u munduan ta kthenin mbrapsht, atë dhe familjarët e tjerë, “përndryshe do të rrimë këtu.” Me kohë, zyrtarët vendosën që të lejonin vetëm të moshuarit të ktheheshin. “Do vdesin shpejt, por të paktën do të jenë të lumtur.”

Zavorotyna nxjerr raki dhe pregatit sallo derri në shtëpi, edhe pse konsumimi i ushqimit lokal është rreptësisht i ndaluar. “Vdekja nga uria është ajo që më tmerron, jo rrezatimi,” thotë ajo. Bashkë me moshataret e saj, ka përjetuar gjenocidin Stalinian të viteve ‘30, që, nëpërmjet zisë së bukës, fshiu nga faqja e dheut miliona ukrainas; pastaj pushtimin nazist në vitet ‘40. Kur ndodhi katastrofa e Çernobilit, nën regjimin sovjetik, Babushkat thjesht nuk donin të arratiseshin nga një armik që për to ishte i padukshëm. I shpërngulën me forcë dhe, si gjithë të tjerët, i vendosën në gradaçelat në periferi të Kievit, “ndarë nga gjithshka që i jepte kuptim jetës së tyre.”

Regjizorja e dokumentarit, Holly Morris, thotë se arsyeja që i ktheu Babushkat në vendlindje qe “lidhja e fortë me tokën dhe shtëpinë, vendin ku u kanë lindur e vdekur prindërit, ku janë bërë me fëmijë, ku kanë kopshtet e bagëtinë. Shtëpia përbën gjithë botën për Babushkat në fshat.”

Ashtu si derrat e egër, ujqit e egërsirat që s’ishin parë për dekada këtyre anëve, por që tani janë kthyer në pyjet e braktisura të Çernobilit, edhe gratë e Zonës së Përjashtuar guxuan të kthehen nga qytetet, duke sfiduar autoritetet dhe duke vënë në rrezik jetën e tyre. Greenpeace dhe organizata të tjera thonë që vdekjet nga Çernobili llogariten në dhjetëra mijëra. Statistikat për kanceret e tiroides janë tronditëse, por trauma e shpërnguljes ka qenë po aq tragjike. Siç thotë një specialist që u bën testet radioaktive punonjësve të zonës, “të shpërngulurit thjesht vdesin nga ankthi,” ndërsa Babushkat thonë: “Kush ikën, vdes.” “Ata që ikën janë më keq, se vdesin nga trishtimi.” “Atdheu është atdhe, nuk lihet kurrë.”

Shumë kanë vdekur këto 30 vjet, por numrat tregojnë që gratë që u kthyen në Zonën e Përjashtuar kanë jetuar përgjithësisht më gjatë se sa komshinjtë e tyre që u shpërngulën. “Arsyeja kryesore është lumturia – sado relative qoftë ajo. Duke u kthyer në shtëpi, në vatrat ku kanë shkuar jetën, Babushkat u shpëtuan traumave që vuajtën të shpërngulurit kudo gjetkë” thotë regjizorja Morris. “Të shpërngulurit vuajnë nga alkoolozmi, papunësia, dhe ç’ka është më e rëndësishme, nga humbja e lidhjeve shoqërore. Të gjitha këto ndikojnë mbi shëndetin. Kur i përball këta faktorë me rrezatimin, përfundon me një ekuacion shumë të komplikuar.”

Ky ekuacion i huton vizitorët – në Zonën e Përjashtuar, ata presin të gjejnë një shkretëtirë apokaliptike, siç mund të jetë pas bombës atomike. Kalojnë kufirin, tregojnë pasaportat dhe u bëhet testi i rrezatimit. Futen në zonë dhe… sa bukur! Fusha të gjëra mbushur me bar, lule, pemë e kafshë pylli. Vizitori gjendet në një absurd: nga njëra anë matësit të rrezatimit i ka shkuar shigjeta në fund e sinjali të thotë që rrezatimi është në kupë të qiellit, nga ana tjetër syri të shikon një parajsë.

Natyrisht që nuk është parajsë për banoret e moshuara. Skena e parë e dokumentarit tregon një Babushkë që flet me vete, duke numëruar punët që ka për të bërë atë ditë. Është një ekzistencë shumë vetmitare, pasi numri i tyre ka rënë ndjeshëm – një fshat që ka pasur 20-30 banorë pas katastrofës, tani mund të ketë 2 ose 3. Nga rrezatimi apo nga mosha, Babushkat i kanë ditët të numëruara. Historia e pabesueshme e mbijetesës së tyre ofron një pamje të errët por çuditërisht afirmuese të jetës pas apokalipsit, dhe është një dëshmi e mrekullueshme mbi forcën tërheqëse të vatrës, fuqinë shëruese që ka kapja e fatit “për brirësh” dhe mbi perceptimin subjektiv të rrezikut. “Kjo është historia ku mbijetesa, vendosmëria, tragjedia dhe humori, kokolepsen të gjitha bashkë brenda zonës. Në fund të fundit, është një histori mbi fuqinë që zotëron vendi yt. Para se ta nisja dokumentarin, mendova se do të dilte një projekt bajat mbi rrezatimin, por filmi doli për shtëpinë – në fund të fundit, shtëpia e mposhti rrezatimin” – thotë regjizorja.

P.S. Materialin e mësipërm e kam qëmtuar nga dokumentari “Babushkas of Chernobyl” (https://thebabushkasofchernobyl.com/.)