Intervistë dhënë gazetares Entela Resuli, për gazetën “Dita.”

Share on facebook
Share on google
Share on twitter
Share on linkedin


-Aneta, një shkrim i juaji, një histori personale në lidhje me emigrimin është shpërndarë shumë në rrjet. Çfarë ndjesie u ka lënë?

Nuk e prisja të merrte këto përmasa, por duket që ka kapur në nerv. Shqipëria po tkurret me shpejtësi të llahtarshme, llotaria amerikane është biseda e ditës. S’dua të kthehem prapë në kurbet, kur këtu të mos bjerë më era Shqipëri.

-Na trego diçka më tepër, si, dhe pse emigruat ju 20 vite më parë?

Nuk kishim ndërmend të iknim, profesionalisht kishim arritur aty ku donim.Rrugën për në Amerikë e kisha të hapur nga gjyshi, trungu familjar kish emigruar krejt aty, por ne kishim vendosur të qëndronim në Tiranë. Në 1996-ën fitova një konkurs për trainim në Amerikë dhe, me gjithë mundësitë e pafundme në atë vend të bekuar, u ktheva e padyzuar në vendimin që kishim marrë më parë. Erdhi 1997-a dhe na detyroi të shkuleshim nga vendi.

-Ishte e vështirë?

Duhet të them se kam përjetuar tre mërgime: i pari Sarandë – Tiranë, i dyti Shqipëri- Amerikë, dhe i treti Amerikë – Shqipëri. Për mua, padyshim, më i vështiri mbetet i pari. Mbarova për biologji 5-vjeçare më 1987-ën dhe fillova punë në Institutin e Higjenës në Tiranë. U bëmë me fëmijë tamam në kohën kur po ndërroheshin sistemet, shtëpi s’kishim e familjet i kishim larg. Falë një arsimimi të fortë nga mësuesit e mi (që s’ua harroj kurrë,) ia dola mbanë të ndryshoja disa punë, derisa arrita tek UNICEF-i, puna më e bukur që kam bërë ndonjëherë. 1997-a përmbysi gjithshka.

Për mua personalisht emigrimi në Amerikë ishte më i lehtë – dija gjuhën, kompjuterin, kulturën e punës perëndimore dhe më priste familja mëmë. Pa mbushur dy javë, fillova intervistat e provimet në agjensitë e punësimit. Kapa punën e parë si ndihmëse e shefes së kuadrit në një kompani llampash, që shpejt u pasua me punëra më të mira. Vështirësia qëndronte tek përshtatja e familjes. Nuk e mendoja kurrë që do të kthehesha para pensionit, por im shoq, si krijues, e pati shumë të vështirë. Kur fëmijët nisën jetën e tyre, vendosi të kthehej përfundimisht dhe m’u desh ta ndiqja pas.

Tani vijme tek emigrimi i trete, që shpresoj të jetë i fundit. Për fat, i kisha ruajtur lidhjet me Shqipërinë, ku vinim për pushime çdo vit. Isha aktive në komunitetin shqiptar në Amerikë, dhe, nëpërmjet medias sociale, ndiqja zhvillimet në Shqipëri e Kosovë. Fejsbuk-u më nxorri nga anonimiteti ku emigrimi ta zhyt kokën keqas. Ka 10 vjet që “në hambar mbledh bereqet” nga qindra miq të vjetër e të rinj, që ma latojnë shpirtin përditë. Aty gjeta blogun “Humans of New York,” (HONY) ku autori Brandon Stanton, intervistonte kalimtarët në New York. Ndërkaq që nga Kosova e Shqipëria autobuzat niseshin dingaz për në Gjermani, në tokën e premtuar emigrantët dhe vendasit përballeshin me halle të tjera, por gjithsesi, halle. Kuptova që emigracioni është zgjidhje e përkohshme, dhe këtë doja ta ndaja më të gjithë. Nga maji deri në nëntor të 2016-ës përktheva qindra histori të HONY-t, dhe kështu u krijua një ritual: çdo mëngjes, lexuesi priste historinë e radhës, si të pinim kafenë bashkë. Kjo audiencë virtuale më solli shumë oferta pune kur u ktheva në Tiranë, dhe aty nisi kthesa. Ndjeva që kisha përpara shansin e jetës: të mos punoja më për të tjerë, por të bëja atë që më donte shpirti. Dhe ku më mirë se në Sarandën time? Rrugët kombëtare janë rregulluar, dhe për 4 orë je në Tiranë.

-Çfarë mësuat nga emigrimi, nga Amerika?

Është shumë për ta ndarë në këtë hapësirë, por do përpiqem të përmend disa. Së pari, nëse je i pakënaqur me gjendjen tënde, lufto ta ndryshosh. Jeta është kaq e shkurtër, gjynah ta harxhosh shpirtplasur! Në Amerikë është mëkat të mos luftosh për atë që do, por duhet te kesh themel të fortë që të konkurosh në treg. Themelin e ndërton dija, zakonet e mira të punës dhe sjellja. Së dyti, këshilla që dëgjojmë “rri larg shqiptarëve se të marrin në qafë” është e dëmshme. Njeriu ka nevojë për komunitetin siç ka nevojë për ajrin. Eshtë e pamundur të të kuptojë i huaji siç të kupton ai që flet gjuhën tënde, siç të ndjen ai që përditë e ka kokën në darë. Mos e ndrydh hallin brenda, rrethoje veten me njerëz të mirë, fol me dikë që i beson – shprehja “mos të na marrë vesh bota” mund të të kushtojë shtrenjt. Mendoj që fati më i madh në emigrim është të gjesh shqiptarë që ndajnë vlerat e tua, pale kur ke një mik që e ke njohur qysh në vendin tënd! Të gjithë kemi zhgënjime nga bashkëkombasit, por unë kam gjetur në komunitet shqiptarë të zotë dhe me shpirt të bukur, që më kanë ndihmuar të dal në breg dhe më kanë bërë njeri më të mirë. Së treti, mbajtja gjallë e një pasioni të vërtetë. Shumica e njerëzve (përfshi dhe mua,) punojnë në profesione që i nuk i kanë zgjedhur vetë, por u kanë rënë në hise. Një ditë përgjegjësia për fëmijët mbaron (meraku s’mbaron kurrë) dhe vjen koha që të jetojmë për vete. Kur të na ketë xhepi, s’do të na mbajnë këmbët. Një pasion i kultivuar në vite mund të sigurojë një karrierë të dytë, që jo vetëm të jep liri të kthehesh në vendin tënd, por edhe ta fitosh lekun me diçka që ta do zemra. Kjo vlen për të paktët që guxojnë – e thënë troç, do pak “çmënduri.”

-Me çfarë u morët në Amerikë?

Puna e parë tek kompania e llampave zgjati 3 muaj. Gjeta pak orë në një firmë emigracioni, ku punova rreth 4 muaj. Njësova diplomat në sistemin amerikan dhe fillova punë si mësuese zëvendësuese në 17 shkollat publike të Clifton-it (New Jersey). Njëkohësisht, gjeta punë tek një firmë ligjore që merrej me të drejtat e pronësisë intelektuale. Aplikova për mësuese në një gjimnaz vajzash dhe fitova punën e parë të plotë: jepja biologji në vit të dytë dhe anatomi në vit të katërt, puna më e vështirë e jetës sime. Sa mbaroi shkolla, futa ne xhep kontratën për në shtator, dhe zura të kërkoj punë tjetër. Rastësisht udhëtova në Washington D.C. që më pëlqeu shumë, sepse më kujtoi Evropën. Nga një agjensi në tjetrën, brenda tre javësh fitova punën e parë në D.C., në një firmë ligjore. Në 18 vitet që pasuan, punova në disa firma të tilla, duke bërë 3 orë rrugë çdo ditë. U përfshiva në komunitetin shqiptar ku, bashkë me aktivistë të tjerë, hapëm shkollën e parë shqipe “Mësonjëtorja” në D.C., të cilën e drejtova për 3 vjet. Ndërkaq, organizoja festat e komunitetit, përktheja, redaktoja libra, u mësoja shqip studentëve dhe profesionistëve të rinj, shoqëroja delegacionet e ndryshme nga Kosova e Shqipëria, etj. Puna e fundit tek Kilpatrick & Townsend, ku menazhova departamentin e Pronësisë Intelektuale dhe atë të Energjisë, zgjati 9 vjet. Më në fund, aty ia dola që, nëpërmjet përfshirjes në klubin e bamirësisë “Impact,” të kombinoja punën me pasionin.

-Ju merrte malli për Shqipërinë, për çfarë?

Shumë, sidomos në fillim. Më mungonte shoqëria, gjuha, jeta e rrugës, peisazhi, aromat e vendit tim, por mbi të gjitha, deti.

– Ata që emigrojnë, shpesh, emigrimi iu ka ndryshuar jetën. Me ju si ka ndodhur?

S’ka si të ndodhë ndryshe. Amerika për familjen time ka qenë një shpëtim, na hapi dyert kur nuk mundi të na mbante vendi ynë. Mendoj se është i vetmi vend në botë ku emigranti trajtohet si i barabartë me vendasit. Personalisht më dha shumë mundësi pune dhe eksperiencash; hodhëm themelin ekonomik që na lejon të marrim kthesa të forta në jetë, por mbi të gjitha, u ndryshoi jetën vajzave. Amerika u respektoi rrënjët dhe u dha mundësi të bëheshin të zonjat në profesione që janë pasioni i tyre.

-Si ndryshon njeriu në emigracion, na tregoni diçka më tepër për këtë metamorfozë?

Mendoj që emigranti në përgjithësi është i kontraktuar, ndihet sikur një pjesë të peshës së vet e ka lënë diku gjetkë. Shumë i ndjeshëm ndaj aprovimit të të tjerëve, superanalizon veten “mos e thashë gabim?” dhe nuk i pëlqen vetja hiç. Ankthi se si do paguhen faturat nëse humbet punën dhe tjetrën nuk e gjen dot në kohë, kur një problem me shëndetin mund të ta nxjerrë familjen në rrugë në një vend me klimë të ashpër ku secili sheh hallin e vet, ia nguros tiparet. Vërtet emigrimin më të rëndë e përjetova në rini, në vendin tim, ku barra e jetës ma theu kurrizin, por mbaj mend që qeshja, qeshja aq shumë…

Emigrantët që arrijnë të bëjnë shkollë, që transferohen me punë nga Shqipëria, që kanë fatin e madh të punojnë në ambjent shqiptarësh apo në organizata me kolegë emigrantë, janë shumë më të çlirët. Shqiptari jashtë vendit të tij është sedërli: punon fort, fiton para dhe lëviz me zhdërvjelltësi në tregun e punës dhe të pronës. Shumë shqiptarë kanë arritur ëndrrën amerikane me shpejtësi spektakolare duke fituar respektin e thellë dhe ngjallur kuriozitetin e simpatinë e vendasve. Emigrimi e bën njeriun më tolerant, më të hapur ndaj kulturave të tjera dhe atyre që janë ndryshe. Fëmijët, pa dyshim, janë faktori kryesor në këtë ndryshim. Toleranca të del për mbarë kur kthehesh në vendin tënd sepse je i prirur t’ia kuptosh hallin tjetrit. Por toleranca nuk pi ujë kur shkon në një zyrë dhe arroganca e atij që të ka në dorë, të përplaset në fytyrë – andej nga ke ardhur je mësuar të të japin atë që të takon, bile me buzeqeshje dhe “thank you.”

-A kanë të bëjnë këto ndryshime edhe me temperamentin tonë si popull?

Mendoj se po – ne shqiptarët jemi impulsivë, dhe ndryshimet janë të dukshme. Në kultura të tjera, ku mbizotëron vetëpërmbajtja, presioni perballohet fort, si arra nën levozhgë. Sikleti shqiptarit i lexohet në fytyre, shtirja bie erë një orë larg, po, në të njëjtën kohë, gëzimi i sinqertë, bujaria dhe shpirti i sakrificës i tërheqin vendasit si me magnet dhe emigranti shqiptar bën miq përjetë.

-Të shumtë ishin ata që thoshin për ju se jeni kthyer pasi keni bërë disa para…ndërsa ata që jetojnë këtu mezi ia dalin… si do u përgjigjeshit?

Shkrimi im nuk u drejtohet njerëzve që hyjnë në xhepin e tjetrit, ata s’kanë për të më kuptuar kurrë. Për lexuesin po e përsëris: s’kisha ndërmend të kthehesha, erdha se më zuri halli. Kjo s’do të thotë që s’kemi bërë prokopi në Amerikë, vazhdojmë të punojmë në Shqipëri dhe ia dalim të përballojmë një jetë modeste, pa makina, por me njerëz plot. Shqiptarët e Amerikës e dinë mirë, se nëse do të vazhdoja punën aty, do të fitoja shumë para në pozicionin profesional që kisha, e pensioni do më dilte rreth 30% më i lartë se ç’do më dalë kur të arrij moshën, pas 12 vjetësh.

Nuk e kuptoj ç’lidhje ka kthimi im me ata që jetojnë këtu e mezi ia dalin, por mund të them se këtu ka mundësira punësimi pafund. Problemi është se njerëzit nuk i shohin, apo zgjedhin të mos i shohin. Klasa politike e te gjitha ngjyrave (pa përjashtim) dhe media që i shërben, bëjnë çmos që njerëzit të shohin vetëm të keqen këtu – misioni i tyre është t’i shkulin shqiptarët nga trojet amë, që të sundojnë pa u hyrë gjëmb në këmbë. Lind pyetja se si emigranti i kthyer mund t’ia dalë që, jo vetëm të mbijetojë në Shqipërinë e sotme, por edhe të jetë i lumtur. Mendoj që çelesi është të mos konkurrosh në tregun lokal të punës: ose të bësh një gjë që nuk e bëjnë të tjerët, ose të hysh në tregun global. Emigrantët që kanë i mbyllur detyrimet familjare mund ta realizojnë kapitullin e fundit të karrierës së tyre në Shqipëri, duke nxjerrë të ardhura që u mundësojnë vizitat e shpeshta tek fëmijët që i kanë lënë pas. Të rinjtë shqiptarë që zotërojnë kompjuterin dhe gjuhët e huaja, mund të punojnë në internet, ashtu siç punojnë të huajt që jetojnë në Shqipëri. Në Sarandë ka mijëra apartamente që rrinë mbyllur se të zotët i kanë në mërgim – me mirëbesim, apartamentet mund të vihen në punë gjatë gjithë vitit, se të huajt po e kuptojnë që Saranda është më e mirë në dimër se sa në behar. Pale pastaj shërbimet për të huajt: kush më mirë se nikoqiret tona gatuan, pastron, bën punëdore, mbjell bahçet, pregatit zahiretë, kujdeset për të sëmurin, pret e percjell? S’do shumë që, megjithë masakrën e betonit, Saranda të dalë nga ngërçi: me gjelbërim, pastërti, lyerje – sa e vështirë është kjo? E vështirë është të gjejmë kurajon të bëhemi bashkë e t’u kërkojmë llogari atyre që kemi zgjedhur në krye, por ju siguroj që emigrimi është shumë, shumë më i vështirë…

-Me çfarë po merreni aktualisht?

Me ustallarët. Po riparoj shtëpinë prindërore që kish zënë të kalbej në themel. Një pjesë të ditës e kaloj me sarandjotët e mi që i ndihmoj dhe më ndihmojnë. Ndërkaq qyteti po popullohet me të huaj që lënë pas vendet e tyre dhe zgjedhin Sarandën për pension apo biznes. I ndihmoj për t’ua bërë me të lehtë tranzicionin dhe për t’i lidhur me njerëzit e duhur për bizneset që hapin. Udhëtoj shumë – ditët nuk më mjaftojnë për të shijuar vendin tim, ndërkaq që vazhdoj të shkruaj dhe të përkthej.

-Në ditët e para të kthimit, kishit dyshime nëse bëtë mirë apo keq që erdhët në Shqipëri?

Patjeter që kisha, por të gjitha avulluan kur mbërrita në Sarandë – qyteti im i dashur më priti krahëhapur, më mban në pëllëmbë të dorës, e më bën të ndjehem kaq mirë!

-Cila ka qenë dilema më e madhe që ke patur në emigracion?

Dilema e vetme ishte nëse duhej të filloja biznesin tim apo të punoja për të tjerët. Kjo më shoqëroi që kur vura këmbën për herë të parë në Amerikë e deri sa u largova. Doli që dilemën ma zgjidhi vendi im. Siç shkruan profesori i dashur i sarandjotëve, Niko Muco: në ADN-në e çdo emigranti është e “programuar” “thirrja e Itakës”, por jo kushdo është Odise që arrin të mposhtë Circet…apo ku dihet, ndoshta…

26 shkurt, 2019