Që kur linda, mamaja më çonte çdo verë në Sarandë, prej nga kemi origjinën. Pavarësisht rrugës së gjatë me tren e me autobuz, sa dilja në Qafë Gjashtë, lodhja më fashitej nga bukuria e detit dhe trupi me bëhej mornica-mornica: e dashuroja atë qytet, atë det. Më prisnin ushqimet e shijshme të teze Lenit dhe patjeter ndonjë oktapod i kapur nga i shoqi, xhaxhi Ziso, një njeri i mrekullueshëm qe s’e heq kurrë nga mendja. Më prisnin fëmijët e tyre, sidomos Lili me Sandrin, e dilnim bashkë bulevardit. Asokohe më bënte pvrshtypje dialekti – herën e parë kur ngacmova dikë, me thanë “o të të bëj vulima në det!” Shkonim çdo ditë në plazh me kushërinjte e shijonim ushqimet që na vinte me vete tezja e ndjerë, me gjithë fukarallëkun e kohës. Shpesh shkonim në fshat, rreth 20 min larg, nga ku furnizoheshim me perime. Nga këto kujtime u rrënjos thellë brenda meje Saranda, ai qytet i mrekullueshem asokohe. Emigrova në Greqi në 1991, pastaj u ktheva në atdhe ku hapa biznese. Pavarësisht shndërrimit të qytetit në një gurore, që kur vinim nga Korfuzi na dukej si një zallamahi e vërtetë, e doja Sarandën, i doja kujtimet në të. I vura synim vetes të bleja shtëpi, ku mendoja të kaloja pleqërinë buzë detit, me shoqen time të jetës që e njoha qysh fëmijë. Me guxim e sforco blemë këtë shtëpi anës detit, me shpresen e madhe se një dite vendi yne do bëhej siç duhej. E arritëm, e morëm, dhe s’po e gëzojmë fare. Na lodhi Shqipëria, na lodhën spitalet. Aty vlerësuam që s’na duhej më leku, por vetëm jeta dhe shëndeti. Ikëm si shumë të tjerë. Tani duam qetësine tonë e të fëmijëve, por është ëndrra ime të pi kafenë cdo pasdite te ky ballkoni im, ëndërr që më jep shpresë, që më ngop…
