Albana Melyshi Lifschin, New York (USA)

Share on facebook
Share on google
Share on twitter
Share on linkedin

Interviste e shkrimtares Albana Melyshi Lifschin me gazetaren Vera Pelaj te RTK, 2009

Vera Pelaj: Pavarësisht nga censura, ju kishit një vend pune të mirë. Pse e latë Shqipërinë dhe shkuat në Amerikë?

Albana Mëlyshi (Lifschin): Nuk e lashë Shqipërinë, në 1992, kur bleva biletën për Nju Jork, e nuk e kam lënë as sot në 2009, 17 vjet më pas. Siç e theksuat dhe ju, unë kisha një punë shumë të mirë në atdhe. Punoja për Televizionin e Tiranës, kisha gjithë familjen dhe rrethin shoqëror që më donte e respektonte atje. Madje, atë kohë sapo kisha mbaruar një cikël të rëndësishëm televiziv për periudhën e tranzicionit në Shqipëri. Atë vit, në 1992, unë e mora
avionin për në Amerikë në rrethana të jashtëzakonshme familjare dhe aspak me mendimin për të ndenjur përgjithnjë atje. U nisa për t’i qëndruar pranë gjyshit tim, Nikoll Mëlyshit, në ditët e tij të fundit. Ai po mbyllte sytë larg familjes, mungesën e të cilës e kishte vuajtur për 45 vjet rresht. Isha e vetmja “përfaqësuese” nga Shqipëria. Ndoshta është vendi këtu të bëj një prezantim më të gjatë, që ju ta kuptoni se ç’ishte për mua dhe familjen time ai udhëtim.Unë jam e mbesa e Pal Mëlyshit “Heroi i Popullit” dhe e Nikoll Mëlyshit (babai i Palit) nacionalist dhe antikomunist i betuar. Im gjysh shkoi në luftë për të luftuar okupatorin, por duke vënë një kusht: “Dorën grusht, nuk e bëj dhe yllin e kuq në kapelë nuk e mbaj, sepse ato s’janë shenja shqiptare”. Vinte nga një familje bajraktare e
nderuar e Mirditës. Kur u kthye nga lufta për çlirimin e vendit, u ndesh me një zhgënjim të paimagjinueshë m. E gjeti shtëpinë e tij (kullën) të djegur nga shokët partizanë, si edhe të gjithë familjen të internuar. Sado e pabesueshme të tingellojë kjo, është plotësisht e vërtetë. Tek vështronte harkun e mermertë të derës, me emrin e të atit “Gjon Melyshi-bajraktar”, e asnjë këmbë njeriu, ai ndjeu tradhëtinë e madhe që i ishte bërë. Në këto rrethana, u detyrua të arratisej, e ta linte atdheun e vet, për lirinë e të cilit luftoi, e ndoshta do të kishte rënë dëshmor.
Nga ajo ditë duhej të kalonin 45 vjet rresht, me kujtimin e familjes së tij si relike të shtrenjtë në shpirt. Asnjë komunikim nuk iu lejua me familjen nga qeveria e Tiranës, edhe pse ishte baba heroi. Por qe antikomunist dhe kishte shkruar libra kundër qeverisë së Tiranës, ku numëronte fakte të vrasjes e eliminimit pa gjyq të shumë kundërshtarëve të saj nga krahinat e veriut, veçanërisht Mirditës, përfshirë këtu edhe 8 pjestarë nga familja e tij.
Gjyshi kishte shtetësinë amerikane, por kokën e zemrën e kishte në Shqipëri. Ka banuar në Nju Jork, dhe ka qenë anëtar i vjetër i organizatës panshqiptare “Vatra”. Mjaft nga miqtë që e kanë njohur, janë ende gjallë. Pas 45 vjetësh, në 1989, i ndarë nga familja në atdhe, na dërgoi një telegram ku thuhej: “Mbusha 90 vjeç, a mund të vij të vdes në vendin tim? Baba.”
Familja i kërkoi leje Qeverisë, që ta pranonte babanë në atdhe. Mirëpo, përgjigja erdhi negative. Ai burrë i vjetër, kërkonte një copë varr në vendin ku kishte lindur, por edhe kjo iu mohua nga qeveria e Ramiz Alisë. Në fund të vitit, pa i marre leje askujt dhe i vendosur për të parë familjen e tij pas 45 vjet ndarjeje, mbërrin në aeroportin e Tiranës,
Qe tronditje e madhe emocionale për familjen, ndërsa për Qeverinë duket qe tërmet, se na solli Sigurimin në shtëpi për t’i dhënë urdhër plakut 90 vjeçar, babait të heroit, të kthehej menjëherë nga kishte ardhur, si person “non grata”. Im gjysh u kthye në Nju Jork, i detyruar për herë të dytë të linte atdheun. Atë kohë unë punoja për televizionin shtetëror. Qe hera e parë që pashë me sytë e mi fytyrën mizore të diktaturës. Pas kësaj që ndodhi, im gjysh u sëmur me kancer në pankreas. Ndërkohë, Shqipëria u hap me botën dhe u vendosën marrёdhënie diplomatike me SHBA. Intervistova konsullën e parë amerikane në Tiranë, Barbara Cummings, lidhur me kriteret e dhënies së vizave qytetarëve shqiptarë. Unë vetë isha nga të parat që mora vizë dhe erdha në Amerikë. Erdha, siç thashë më lart, për t’i qëndruar pranё gjyshit tim në ditët e fundit të jetës së tij. I detyrohesha, në emër të familjes. Mbi këtë ngjarje kam shkruar tregimin “Shamia e zezë”, tregim i cili mori vlerësime maksimale nga kolegë dhe lexues. Shumë më sugjeruan ta shtrija në përmasat e një romani. Këtë tregim e kam përfshirë edhe në librin tim të fundit “Magjia e një zëri”.

Vera Pelaj: Keni 17 vjet që jetoni në Nju Jork dhe përsëri vazhdoni të keni në fokus të krijimtarisë tuajtemën e emigrimit. Perse?

Albana Mëlyshi (Lifschin): Në Amerikë përditë vazhdojnë të vijnë emigrantë të rinj. Të gjithë kalojnë në rrugën e vështirë të njohjes dhe përshtatjes me realitetin amerikan, ndërtojnë ëndrrat e përcaktojnë objektivat që duan të arrijnë për veten dhe fëmijët e tyre. Në këtë rrugë të gjatë e të vështirë, në mënyrë të ngadaltë, por të natyrshme,
përqafojnë edhe identitetin e tyre të ri, atë amerikan, e megjithatë dashuria e malli për vendlindjen mbetet i madh. Është një ndjenjë e thellë e paspjegueshme. Me trup në Amerikë, e me mendje e zemër në Shqipëri. Kështu ka ndodhur gjithnjë me gjeneratën e parë të emigrantëve. Ka një shprehje të trashëguar që thotë se emigrantët e parë “trupin e kanë në Amerikë dhe qafa u zgjatet mbi Atlantik”…

Intervista e plote:
http://albanalifschin.tripod.com/intervista.html