Autobuzi për Krujë donte dhe 15 minuta të nisej. Shoferi, një djalë i ri, e kishte mendjen tek udhëtarët e paktë që afroheshin në parkim, me shpresën se do kapte ndonjë pasagjer. Bëmë muhabet – Platini më tregoi se kish qënë në Angli.
“Pse u ktheve?”
“U mërzita. Isha pa dokumenta dhe kisha lënë pas familjen.”
“Je bërë pishman?”
“Fare.”
“Sa fëmijë ke?”
“Pesë.”
“Uaaa! Po ti je hero! Sot rinisë mezi i mbushet mendja të bëjë njëckë, ne ia hodhëm me dy, ti pesë bashkë? Si kështu, në kërkim të vajzës?”
“Jo, s’ka të bëjë fare me të. U nisa për Angli në mbrëmje, pasi i kishim festuar ditëlindjen djalit në drekë. Nusja ishte shtatzënë. Kur u ktheva, e gjeta vajzën 2 vjeç e gjysëm, bëmë një djalë tjetër, e tani kemi pak muaj që jemi gëzuar me binjake. Kam vetëm një motër dhe gjithmonë doja të kisha shumë fëmijë. Po të kisha mundësi, do të bëja edhe më tepër.”
“Po si ia del?”
“Përpiqem, sapo e mora këtë linjë, punoj orën 12 dhe 2. Jam lidhur me një agjensi turistike që më punëson në behar, e me ato të ardhura kavërdisemi.”
U nisëm fiks në 12 – në autobuzin 18 vendësh, shoferi, unë dhe një vajzë. Bileta 150 lekë.
“Po ti nuk nxjerr dot benzinen me kaq, ia vlen të punosh?”
“E di, por jam i detyruar të dal se duhet të mbaj liçencën, mezi e mora.”
Ec e ndalo, gjithë-gjithë, u bëmë shtatë. Mbërrita në Krujë në kohën që po dilnin fëmijët nga shkolla. Jam që jam, thashë, të pyes për Majlindën, shoqen time të fakultetit – më treguan se punonte tek shkolla 9-vjeçare. E gjeta ndërsa bëhej gati të dilte, dhe u çmallëm pak – 32 vjet pa u parë! E pyeta nëse mund të shkonim tek ndonjë nga klasat ku po futeshin trumba-trumba faqekuqët e fillores, veshur e ngjeshur me xhupa, shalle e kapuça. Sa të bukur e sa të mbarë ëmbëlushët e vegjël! Sa me fat mësueset që rrethohen çdo ditë nga këta ëngjëj! Kur i pyeta nëse kanë ftohtë, më thanë “jo”. “Po në shtëpi?” “As në shtëpi!” Dimrin me borë e kanë në hise krutanët, por s’u bën syri tërr se ngrohen me dru. Në Sarandën time gjimnazistët u karkallosën – javët e para të janarit orët bëheshin të shkurtuara. Edhe në shtëpi nuk gjejmë rehat, duhet të mendohesh mirë para se të bësh dush. Është dimri i dytë që po kaloj në qytetin tim të lindjes qysh nga koha kur isha vajzë, dhe nuk e di pse po e ndjej kaq shumë të ftohtit e lagështinë – ndryshimi i klimës, lakuriqësia e betonit që ka pushtuar qytetin, ndjeshmëria e moshës, apo të gjitha bashkë? Por atë ditë dimri, në Krujën me dëborë, ndjeva behar në shpirt – ku i dihet, mbase yjet e Platinit ishin mes atyre ëmbëlushave, e më ngrohnin më shumë …
