Përshëndetje, e dashur Aneta. Lexova shkrimin tënd (Rrënjët dhe Shpirti) tani dhe qava nga dhimbja, se çdo fjalë e shkruar ishte sikur të kisha hapur shpirtin tim dhe t’i kisha shkruar unë ato fjalë, por, për ironi, nuk kam as kohë të qaj e ta nxjerr dufin, s’kam kohë sepse më duhet të shkoj në punë…
Kjo është e dhimbshme: të mos kesh as kohë, as njerëz, me të cilët të qash e të ndash mërzinë e shpirtit. Në çdo fjalë që ti kishe shkruar e ndjeva që më kaloi përsipër. Jetoj për afro 3 vjet e gjysëm në Gjermani. Të dy jemi të arsimuar, unë mësuese gjuhe-letërsie, im shoq jurist. Në Shqipëri gëzonim një status të mirë. Me punë të mirë, por ndërrohen partitë, dhe të kthehen jetët përmbys. Ne vijmë nga fisi X në qytetin N, që fatkeqësisht e vuajtëm komunizmin, por po vuajmë dhe “demokracinë”. Ikëm, lamë gjithçka, punojmë fort, tentuam dhe te sistemoheshim në profesionet tona, por e pamundur…E ndiej që po me ikën koha nga duart. S’po gëzoj jetën me fëmijët e mi. Ata po rriten dhe janë përshtatur aq mirë me jetën këtu, me kulturën, me gjuhën, me gjithçka, dhe ndihem fajtore. E dini pse? Sepse fëmijët e mi janë bërë të ftohtë, siç janë dhe njerëzit këtu. Me tim shoq po punojmë që të bëjmë shtëpi e të blejmë makinë etj, etj., por e shoh se kemi harruar të shijojmë njeri-tjetrin. Gjithmonë del diçka më e rëndësishme se ne të dy – jo s’kemi lekë të dalim për darkë, jo s’kemi lekë të festojmë ditëlindjet tona se mjafton t’ua festojmë fëmijëve, jo po të bëjmë këtë, jo po atë, e në fund e kupton që koha ka ikur, dhe ka disa gjëra që s’i bën dot më në një moshë të caktuar. Ndihem në faj dhe borxhlie dhe ndaj tim shoqi, sepse ai e do jetën, dhe shpesh herë më thotë “unë punoj për të jetuar dhe nuk jetoj për të punuar”. Si përfundim, si emigranti që s’ka atdhe e që edhe kur e lëshon hapin, i duket sikur toka s’do e mbajë hapin e tij, e që shpirti i tij është bosh, e që në vendin që jeton është thjesht një makineri, është e dhimbshme dhe therrëse, por i lutem zotit të ma shpërblejë mundin tek fëmijët… Me aromën e mamit nuk u ngopa kurrë…
Të përshëndes.
J. N.
